top of page
Search

"Bëhu si shqiponja lart në qiell" - 5 Mësime Lidershipi

  • Writer: Renato Civili
    Renato Civili
  • Feb 17, 2021
  • 2 min read

Updated: Feb 26, 2021

Ky ishte mesazhi i pedagogut në leksionin e tij të fundit me ne rreth lidershipit, pasi na tregoi historinë e shqiponjave dhe vlerat e saj, në lëndën 'Etika e Administratorit'.


Këto mësime lidershipi na ndihmojnë të kuptojmë se pse duhet të zgjedhim rrugën më të vështirë që ka më shumë vlerë në jetën tonë, dhe jo atë që është më e lehtë. Sepse përmes sfidave, ne zhvillohemi dhe bëhemi më të fortë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.



Historia e shqiponjave

Shqiponjat jetojnë rreth 80 vite, pothuajse sa njerëzit. Por për të jetuar kaq gjatë, ato duhet të marrin një vendim të vështirë.

Kur janë rreth të 40-ave, sqepi i tyre përkulet e zgjatet rreth gojës, duke i penguar të ushqehen. Pendët e tyre bëhen më të rënda e të ngjeshura, duke i penguar fluturimin, dhe kthetrat e tyre dobësohen e nuk mund të kapin më prenë.

Kjo është faza që shqiponja detyrohet të marrë vendimin më të rëndësishëm:

Të pranojë fatin e saj e të vdesë, apo të bëjë diçka për ta ndryshuar atë.


Shqiponja shkon në majën më të lartë të një mali, zgjedh shkëmbin më të thepisur, dhe nis të godasë fort sqepin e saj, deri sa ta thyejë. Pasi pret t'i dalë sqepi i ri, shqiponja këput kthetrat e saj me sqep. Pasi pret t'i dalin kthetrat e reja, këput të gjitha pendët e saj të vjetra, e pret t'i dalin të rejat, më të lehta.


Pas 150 ditësh, shqiponja ndërmerr fluturimin e saj të lavdishëm të rilindjes, e vazhdon jeton edhe për 40 vite të tjera.

5 Mësime lidershipi nga historia e shqiponjave:


1. Shqiponjat guxojnë dhe sakrifikojnë për të rilindur.


Shpesh, për të risjellë pasionin dhe gëzimin në jetën tonë, ndryshimi bëhet i domosdoshëm.

Cili është ai ndryshim që duhet të bësh, për të rindezur pasionin dhe jetuar ashtu siç ti do të doje?


Si duhet të ndryshojë mënyra jote e të menduarit, zakonet e tua, sjelljet dhe vendimet e tua, për të arritur versionin tënd më të mirë?


2. Shqiponjat kanë një shpirt të lirë.


Fito pavarësi mendimi dhe zgjedhjeje, për të vendosur ti se çfarë është më e rëndësishme për ty. Zhvillo aftësitë, intelektin dhe guximin për të jetuar me krenari në çdo sfidë.


3. Shqiponjat fluturojnë me shqiponjat.


Rrethoje veten me njerëz që kanë qëllime të njëjta me ty, që të mbështesin dhe të inkurajojnë të zhvillohesh dhe të arrish ëndrrat.


4. Shqiponjat shikojnë me kilometra larg dhe qëndrojnë të fokusuara deri sa e kapin prenë.


Krijo një vizion të qartë dhe një plan veprimi për ta realizuar, dhe mos u dorëzo pavarësisht pengesave që do të hasësh.


5. Shqiponjat i përdorin erërat e forta të stuhive për të fluturuar më lartë.


Mos iu shmang sfidave, por shikoji si një mundësi për të fituar aftësi të reja, guxim dhe një mendësi të re fituese.


"Bëhu si shqiponja lart në qiell" - Syno drejt majave...








 
 
 

Comments


©2025 Proudly created by Digital Academy Albania

bottom of page