Si të bëhesh një lider që njerëzit e besojnë dhe e ndjekin - 5 Mësime nga Simon Sinek
- Renato Civili
- Feb 17, 2021
- 2 min read
Updated: Nov 8, 2021
"Ashtu si ne nuk mund të jetojmë dot pa ngrënë, ashtu edhe një biznes nuk mund të ekzistojë pa para. Por shumica prej nesh nuk jeton për të ngrënë, ashtu dhe bizneset nuk duhet të ekzistojnë vetëm për të fituar para" - John Mackey
Sa nevojë kemi për drejtues që punojnë e çojnë përpara kauza të drejta për të zhvilluar shoqërinë, dhe që nuk punojnë vetëm për interesin personal të ngushtë.

Për drejtues, që nuk bëjnë kompromise që mund të dëmtojnë ekipin apo kauzën për përfitime afatshkurtra.
Për drejtues, që kanë guxim për të na udhehequr me integritet dhe për të përfaqësuar vullnetin tonë (ekipit) në mënyrën më të denjë.
Për drejtues, që na bëjnë krenar që i përkasim ekipit dhe komunitetit.
Nuk ka rëndësi se çfarë niveli je në karrierën tende apo se në cilën fushë punon, këto ide të Simon Sinek tek libri tij i fundit 'Loja e Pafundme', na tregojnë cilësitë e vërteta të lidershipit. Aftësi që do të ndihmojnë të zotërosh një mendësi të re 'të pafundme' për të drejtuar më mirë ekipin tënd.
Ja 5 idetë kryesore që nxora nga ky libër:
1. Çoni përpara një kauzë të drejtë. Kjo është një nga cilësitë kryesore që dallon kompanitë lider, ato që frymëzojnë njerëzit dhe klientët e tyre të besojnë e t'i ndjekin.
2. Ndërto ekipe mirëbesimi. Ndërto një skuadër me njerëz që besojnë tek ty dhe njëri-tjetri, tek vlerat, kultura dhe vizioni i kompanisë. Krijo një ambjent pune ku ata ndihen të movituar dhe të hapur për ide të reja për t’u zhvilluar.
3. Studioji rivalët e tu të denjë. Mos i shaj, mos i kritiko, mos i nënvlerëso konkurentët e tu. Përzgjidhi ata, më të mirët, dhe vlerësoji si rivalë të denjë nga të cilët mund të mësosh se si të bëhesh më i mirë. Studioji ata dhe punën e tyre, jo (vetëm) për t’ja kaluar apo për t’i mundur, por për t’u bërë ti më i mirë për veten. Sepse në lojën e pafundme të jetës dhe biznesit, të gjithë mund të jemi fitues.
4. Përgatitu për fleksibilitet ekzistencial. Vizioni, planet apo qëllimet për ta arritur një kauzë të drejtë nuk do jenë asnjehërë ashtu siç e ke planifikuar. Ji fleksibël, mendo si mund të përshtasësh mënyra të reja, teknologji apo burime të reja novatore për sfidat e reja. Vizioni dhe kauza jote, nuk duhet të mbetet peng i mungesës së mjeteve.
5. Guxo për të drejtuar. Është gatishmëria për të ndërmarrë rreziqe në të mirë të një të ardhme më emocionuese, më frymëzuese, e të panjohur. Për të drejtuar me një standart më të lartë etike, për të qenë ti lideri modeli më i mirë për t’u ndjekur nga ekipi yt.
Liderat që do përqafojnë këtë mendësi dhe filozofi lidershipi (do) ndërtojnë departamente, institucione dhe kompani më solide, më novatore e më frymëzuese.
Ata do duam e do i besojmë që të na udhëheqin drejt së ardhmes në bizneset dhe politikën shqiptare.
Ps: Shiko një nga prezantimet e tij me idetë e librit:
Comments