top of page
Search

8 Mënyra Si Të Fitosh Më Shumë Klientë Dhe T'i Kthesh Në Promotorë Të Brandit Tënd (Mëso 8 Shembuj)

  • Writer: Renato Civili
    Renato Civili
  • Feb 28, 2021
  • 7 min read

Updated: Feb 28, 2021

Kur bëhen bashkë njerëz që kanë pasion marketingun dhe teknologjinë, është vështirë që diskutimet t'i përfundojmë brenda seancave të trajnimit ‘Digital Marketing Masterclass’. Sepse tani, me marketingun dixhital mundësitë janë të pafundme.


Gjatë diskutimeve tona, janë tre pyetje të shpeshta që na bëhen nga pjesëmarrësit:

  1. Si mund të rris shitjet dhe të fitoj më shumë klientë?

  2. Si duhet të komunikoj me audiencën online?

  3. Çfarë duhet të postoj në mediat sociale për të kapur vëmendjen e klientëve?

Krijimi i një strategjie efektive komunikimi dhe marketingu dixhital do të të japë jo vetëm përgjigjet e 3 pyetjeve të mësipërme, por do të të ndihmojë të rrisësh shitjet, fitosh më shumë klientë dhe t’i kthesh ata në promotorë të brandit tënd.


Formula e Komunikimit dhe Përmbajtjes Dixhitale


Si në çdo fushë, edhe marketingu i përmbajtjes (content marketing), ka një formulë:

Përmbajtje Efektive = Vlerë = Audiencë = Ndërgjegjësim = Besim = Shitje.

Gjithashtu, e kundërta e formulës sjell rezultat të kundërt:

Jo Përmbajtje Efektive = Jo Vlerë = Jo Audiencë = Jo Besim = Jo Shitje.


Një strategji e mirë komunikimi me përmbajtje efektive e motivon audiencën të bëjë një veprim. Të kalojë në një fazë dhe nivel tjetër perceptimi, besimi dhe marrëdhënieje me brandin.


Strategjia e Komunikimit Dixhital dhe 8 Fazat e Klientit


Rrugëtimi i klientit online përmban 8 faza kryesore, të cilat përshkruajnë se si një njeri (klient potencialë) i panjohur me shërbimet e tua, mund të konvertohet në klient blerës dhe në promotor të brandit tënd.


Këto 8 faza do të të ndihmojnë që të krijosh një strategji efektive komunikimi dixhital për të bërë më shumë njerëz të të njohin, pëlqejnë dhe besojnë brandin tënd.


Tek DigitalMarketer, platforma ku mblidhen mijëra ekspertë të marketingut dixhital, e quajnë ‘Customer Value Journey’, për të treguar rëndësinë e ofrimit të vlerës për klientin në çdo fazë të rrugëtimit të tij dixhital.



Faza 1 - Ndërgjegjësoji Klientët potencialë për brandin dhe shërbimin tënd (Awareness)


Së pari, nëse një njeri nuk ka një problem apo dëshirë të pa plotësuar, ai nuk është klient potencial për ty. Ai kthehet në klient potencial pasi ai bëhet i ndërgjegjshëm për problemin/dëshirën e tij, fillon e kërkon për zgjidhje dhe bëhet i ndërgjegjshëm që ti ekziston - dhe mund t'i ofrosh zgjidhjen që ai kërkon.


Ky është kontakti i parë që klientët potencialë kanë me ty: Kur ata shikojnë për herë të parë një reklamë tënden, duke përdorur mediat sociale, duke kërkuar në google, online, ose nga një referim, etj.


Përgjigjiu 2 pyetjeve që ata kanë në mendje kur bien në kontakt me ty për herë të parë:

  1. Pse ata duhet të blejnë shërbimin që ti ofron?

  2. Pse duhet ta blejnë nga ty?

Cili është avantazhi yt konkurrues (USP)? Targeto klientët potencialë në platformat ku ata janë në Facebook, Instagram, LinkedIn. Krijo fushata në kanalet që ata ndjekin në YouTube dhe me fjalët kyçe (keywords) kur ata kërkojnë për shërbimin tënd në Google.


Komuniko me mesazhe të qarta për t’i edukuar klientët mbi benefitet që do marrin nga shërbimi dhe avantazhet pse duhet të të zgjedhin ty.


Shembull i një videoje për ndërgjegjësimin e klientëve potencialë për trajnimin 'Digital Marketing Masterclass' promovuar me fushata në mediat sociale të Digital Academy Albania.

Informohu mbi temat dhe përmbajtjen e trajnimit duke klikuar: 'Digital Marketing Masterclass'


Faza 2 - Motivoji Të Ndërveprojnë Përmes Mediave Sociale dhe Website (Engage)


Kjo është faza kur klientët potencialë lexojnë një artikull nga ty, shikojnë një video ose ndërveprojnë në mediat sociale.


Bëj një ofertë që klientët e duan. Shkruaj artikuj dhe krijo video që i edukojnë klientët potencialë rreth shërbimeve që ti ofron. Jepu vlerë duke i edukuar rreth temave që kanë rëndësi për ta, por jepu edhe arsye se pse duhet të blejnë shërbimin që ti ofron. Jepu incentiva për t'i motivuar të veprojnë për të kaluar në fazën tjetër (CTA - Call to Action).


Shikoje rrugëtimin e klientit si një seri pyetjesh që janë në mendjen e tij. Këto pyetje që ata kanë janë një burim mjaft i mirë për të të frymëzuar me ide për të krijuar tema me vlerë dhe me rëndësi për ta.


Vazhdimisht, ti duhet t’u japësh përgjigje atyre përmes komunikimit dixhital, me postime të mediave sociale, artikujve, videove, emaileve të shpeshta dhe në website.


Mbaj mend gjithmonë formulën e marketingut të përmbajtjes (content marketing): Përmbajtje Efektive = Vlerë = Audiencë = Ndërgjegjësim = Besim = Shitje


Shembull i një postimi për rritjen e ndërveprimit nga Vodafone Albania, me një shorte dhe duke ofruar një incentivë për ta motivuar audiencën të marrë pjesë.



Faza 3 - Jepi Një Ofertë ose Incentivë Të Regjistrohen (Subscribe)


Kjo është faza kur klientët potencialë interesohen për të marrë një ofertë, E-book/Lead Magnet ose për të marrë pjesë në një webinar falas.


Klientët janë gjithmonë në kërkim të transformimit të tyre në një gjendje më të mirë. Krijo një E-book, video ose webinar falas për t’i edukuar me ekspertizën tënde. Si ata mund të arrijnë më shumë përmes shërbimit që ti ofron?


Krijo një 'Lead Manget' të tillë që e nxit dhe motivon klientin të regjistrohet dhe të të japë të dhënat e tij. Nuk ka të bëjë vetëm me edukimin e klientëve, por me motivimin dhe influencimin e tyre për të vepruar për të kaluar në fazën tjetër.


Ja tre shembuj se çfarë mund të bësh:

  • Një webinar ose E-book falas

  • Event online/offline

  • Një ofertë ose bonus për të përfituar diçka falas

Në këtë mënyrë, duke të dhënë kontaktet me regjistrimin e tyre, ata ‘ngrenë dorën’ dhe ti mund t'i identifikosh si klientë të kualifikuar dhe potencialë (leads).


Shembull i një Lead Magnet me një E-book falas nga Salesforce për të edukuar klientët potencialë se si të marrin maksimunim nga një platformë Customer Relationship Management (CRM).



Faza 4 - Motivoje Për Të Bërë Blerjen e Parë Për T’i Konvertuar në Klientë (Convert)


Klientët e regjistruar tek faza 3, tek kjo fazë bëjnë një blerje të vogël nga ti, ose tregojnë përkushtimin e tyre duke skeduluar një demo, takim ose duke marrë pjesë tek një event i yti.


Sepse një klient e tregon përkushtimin e tij në dy mënyra:

  • duke blerë diçka me para, ose

  • duke të të dhënë kohën e tyre (si pjesëmarrës).


Ndaj, kjo fazë është për të rritur përkushtimin e tyre, dhe për të patur mundësinë për t'i treguar vlerën dhe eksperiencën që ti mund t'i ofrosh atyre pasi të konvertohen në klientë.


Shembull i GoDaddy i cili ofron shërbime me çmime mjaft të ulta (ka raste nën kosto) vetëm që të të fitojë si klient. Më pas, e merr fitimin e klientëve duke e shtrirë në kohë shërbimin dhe duke ofruar shërbime shtesë (up-selling dhe cross-selling)


Faza 5 – Ofroji Një Eksperiencë Vërtetë Të Mirë Online & Offline Për Të Rritur Kënaqësinë e Tyre (Excite)


Synimi në këtë fazë është që të bësh klientin të kënaqur, duke i ofuar vlerë dhe një eksperiencë sa më të mirë. Vetëm në këtë mënyrë mund t’i bësh ata të të pëlqejnë dhe besojnë për të blerë përsëri edhe shërbimet e tjera.


Mund t’i japësh edhe oferta, përfitime ekskluzive për ta dhe zbritje të çmimeve për t’i motivuar klientët e rinj të veprojnë dhe blejnë përsëri nga ty.


Shembull nga Evernote, i cili për të gjithë klientët e rinj bën një fushatë komunikimi me emaile edukuese për t’i motivuar klientët të marrin maksimumin nga aplikacioni i tyre. I motivon ata që ta përdorin më shpesh dhe më shumë.



Faza 6 - Jepi Oferta Të Personalizuara Për T’i Motivuar Të Blejnë edhe Shërbime Të Tjera (Ascend)


Kjo është faza ku klientët janë të kënaqur nga shërbimi, ndërtojnë marrëdhënie besimi me kompaninë tënde dhe kanë mundësi të blejnë përsëri nga ty.


Tani, është momenti për t'i prezantuar edhe shërbimet e tjera tek ta:

  • Ofro incentiva/bonuse për të shitur më shumë dhe më shpesh

  • Shërbime Up-Selling dhe Cross-Selling

  • Bëji klientët besnikë duke i ofruar kontrata bashkëpunimi afatgjata


Shembull nga një kompani ajrore, Kompania Southwest, e cila ofron EarlyBird Check-In. Paketa shtesë për të shitur edhe shërbime të tjera si dhe për të përmirësuar eksperiencën e klientëve të saj.



Faza 7 - Bëji Klientët Avokatë të Brandit Tënd (Advocate)


Kjo është faza ku klientët janë të kënaqur por janë promotorë ‘pasivë’ të brandit tënd. Synimi yt në këtë fazë është që t’i motivosh ata të flasin pozitivisht dhe të promovojnë brandin tënd tek miqtë e tyre përmes mediave sociale.

  • Identifiko klientët e kënaqur dhe besnikë

  • Pyeti nëse mund t’i merrni testimonials / Review / Rekomandime, etj.

  • Jepu incentiva për t’i motivuar ata ta ndajnë edhe me miqtë e tyre dhe në mediat tuaja sociale.


Shembull i rekomandimeve me video (testimonials) që kemi marrë nga pjesëmarrësit e trajnimit tonë në Digital Academy Albania. Shiko videon tek ky link.


Faza 8 - Ktheji Klientët Në Promotorë Të Brandit Tënd (Promote)


Promotorët dallohen nga klientët ‘avokatë të brandit’ pasi ato janë aktivë për të promovuar brandin dhe shërbimet që ofron. Synimi në këtë fazë është që t’i motivosh ata dhe t’ia bëni sa më të lehtë për të të promovuar.


Njerëzit besojnë më shumë miqtë e tyre, sesa kompanitë. Kur ata i rekomandojnë shërbimet e tua, njerëzit të besojnë më shumë.

Krijo një sistem referimesh për të bërë sa më shumë klientë të promovojnë biznesin tënd përmes mediave sociale. Mendo:

  • Cili mund të jetë interesi/përfitimi i tyre nga promovimi yt?

  • Çfarë mund t'u ofrosh ti klientëve të kënaqur që t'i nxisësh të të rekomandojnë tek miqtë e tyre dhe në mediat sociale?

Shembull i një prej strategjive 'Growth Hacking' të kompanisë Dropbox që rriti numrin e përdoruesve me miliona brenda një periudhe disa mujore. Në qendër të strategjisë ishte përfitimi me vlerë (shtimi i GB Falas) për përfituesit nëse ftojnë përmes emailit edhe miqtë e tyre të përdornin këtë platformë.



Përmbledhje


Ndiq këto 8 faza kryesore të klientëve të cilat do të të ndihmojnë të krijosh një strategji komunikimi dhe marketingu me përmbajtje efektive për të gjithë rrugëtimin e tyre online. Ndiq shembujt për secilën nga fazat e mësipërme dhe mendo në mënyrë kreative se si mund t'i implementosh në biznesin tënd.


Do të të ndihmojnë të rrisësh shitjet, të fitosh më shumë klientë dhe t’i kthesh ata në promotorë të brandit tënd. Vazhdimisht.




Dëshiron të Ndërtosh një Strategji Marketingu dhe Komunikimi Dixhital Për Biznesin Tënd?


Më shkruaj dhe mund të të ndihmoj për të krijuar dhe implementuar së bashku një strategji marketingu fituese!



Renato Civili

Digital Marketing Strategist & Business Consultant


CEO & Co-Founder i Digital Academy Albania

Mob: +355 68 60 60 107

E-mail: hello@renatocivili.com

 
 
 

Comments


©2025 Proudly created by Digital Academy Albania

bottom of page